Gjithsej jane 43 parti qe duan të jenë pjesë e garës elektorale, nga ku 35 janë regjistruar në KQZ ndërsa 8 të tjera kanë aplikuar për t’u regjistruar.
PS dhe 18 parti të tjera aleate te socialisteve, si PSD e Skënder Gjinushit apo PS e Moderuar e Gjergj Kojës kanë dorëzuar dokumentet në institucionin qendror të zgjedhjeve.
Më 23 prill skadon zyrtarisht afati që i lë në dispozicion kodi zgjedhor partive politike për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit
Por edhe në kampin e djathtë, është 5 numri i partive që janë regjistruar për garën vendore. Dikur aleatë të Bashës, Bashkimi Demokrat Shqiptar me kryetar Ylber Valteri, Partia Ora e Shqipërisë e drejtuar nga Zef Shtjefni, Bashkimi Liberal Demokrat e drejtuar nga Arian Starova, Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë e Arian Galdinit, si dhe Partia Kombëtare Konservatore e drejtuar nga Kujtim Gjuzi janë regjistruar për zgjedhjet vendore.
Ndërkohë, 9 parti të reja nga radhët e opozitës do t’i bashkohen garës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Siç bën të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e së martes pritet të regjistrohen 9 parti të reja: Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Demokracia Sociale, Partia Zgjidhja, Pajtimit Kombëtar, Social-Punëtore, Partia Ligj dhe Drejtësi, Fryma e Re Demokratike, Aleanca Kuq e Zi si dhe Partia Lista e Barabartë.
Po ditën e martë, KQZ bën të ditur se do të japë mandatin e deputetit edhe për tre kandidatë nga listat e PD-së.
Formularin e vetëdeklarimit e kanë dorëzuar kandidati Artur Rroshi nga lista shumemërore e Partisë Demokratike në Tiranë, kandidati Nikolin Staka nga lista shumemërore e Partisë Demokratike Shkodër dhe kandidati Zef Shtjefni nga lista shumemërore e Partisë Demokratike Shkodër.