Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar pas publikimit të lajmit mbi shpenzimet e saj në udhëtimet jashtë vendit.Në reagimin e saj, ministrja sqaron se fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë, por për dy net fjetje dhe se përmban shpenzimet e të gjithë delegacionit.
‘700 euro dhoma e hotelit’, Gjonaj reagon pas akuzave
“Janë shpenzimet e gjithë delegacionit”
“Kam udhetuar edhe me tren per te evituar shpenzimet”
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka bërë një reagim publik lidhur me akuzat ndaj saj ku thuhet se ajo paguan 700 euro një dhomë hoteli në udhëtimet e saj jashtë vendit.
Gjonaj sqaron se ajo dhe stafi i saj nuk kanë fshehur informacione lidhur me shpenzimet në udhëtimet jashtë vendit, Ajo thotë se fatura e publikuar në media është shpenzuar nga i gjithë stafi i saj për qëndrimin dy net në varësi të axhendës ndërsa shton se në përgjithësi hotelet dhe vendet e qëndrimit zgjidhen nga organizatorët e aktiviteteve.
Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse.
Ministrja deklaron se në udhëtimet e saj zyrtare ka udhëtuar edhe me tren, ose në raste të tjera është kthyer brenda ditës nga udhëtimet e punës duke evituar shpenzimet e hotelit.
Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës.
Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj.
Gjonaj gjithashtu thotë se ka nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së drejtësisë nga i cili ka rezultuar se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.