“Shpella” e Suçit, banorët: Rrezik për mjetet që kalojnë në rrugë

0
5

Nën rrugën nacionale Burrel – Klos në degëzimin e fshatit Kurdari në Suç ndodhet një shpellë e krijuar ndër vite, por që tashmë është kthyer në problem pasi shembja e gurëve ka shkuar deri poshtë asfaltit.

Ky problem i rrugës nacionale mbi të cilën kalojnë çdo ditë me mijëra mjete të tonazheve të ndryshme, nuk dallohet nga sipër. Por nëse e sheh nga poshtë, zgavra e krijuar si pasojë e shembjes së vazhdueshme të shkëmbinjëve, është e frikshme.

Prania e vazhdueshme e ujit që mblidhet nga rruga, ka shkaktuar edhe këtë problem, e ndërsa në anën e Klosit, një masiv i madh shkëmbor është gati në shembje. Bib Gjinaj thotë se rreziku më i madh i kësaj rruge është kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë mbi të. Ai shprehet se autoritetet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë menjëherë.

Aksi nacional Burrel – Klos iu nënshtrua një rikonstruksioni total një vit më parë, duke përmirësuar qarkullimin e mjeteve, ndërsa për këtë problem nuk u bë asgjë.