Pas një stërzgjatje disa mujore më në fund është vendosur se cila do të jetë firma e cila do të mirëmbajë për katër vitet e ardhshme rrugën nacionale Ura e Matit – Rrëshen.

Gara për këtë rrugë ishte hapur që në muajin qershor ndërsa kompanitë që morën pjesë në garë patën afat deri në fund të muajit korrik.

Me 29 korrik Autoritetit Rrugor Shqiptar hapi ofertat e kompanive ku zgjodhi fituesin e tenderit, ndërkohë që ai u ankimua nga një tjetër kompani e cila ishte në garë.

Bëhet fjalë për kompaninë “Shehu” e cila pas ankimit të bërë nga ana e saj arriti të merrte tenderin me fond limit 1.6 milion euro për tre segmente, atë Ura e Matit – Rrëshen, Qaf Buall – Krastë dhe Ura e Ulzës – Ulëz.

Tashmë firmës i duhet të nisë nga puna për të rikthyer në gjendje normale këto tre segmente rrugore, pasi prej vitesh kanë qenë në gjendje të degraduar, veçanërisht rruga e ashtuquajtur “Koridori i Matit”.

Sipas të dhënave të tenderit, kontrata e mirëmbajtjes është bashkë me ndërhyrjet në pikat e dëmtuara rëndë.

Kompania fituese “Shehu” tashmë është e detyruar ta mbajë rrugën në gjendje lehtësisht të kalueshme sipas kontratës së lidhur me Autoritetin Rrugor Shqiptar.