Aksi rrugor i cilësuar si nacional nga fshati Shoshaj në drejtim të Rrëshenit, vijon të jetë në gjendje tepër të amortizuar pasi që prej rehabilimit të plotë të tij, asnjë autoritet shtetëror nuk ka ndërhyrë në të.
Të vetmet investime që janë bërë në këtë rrugë, janë nga privatët, të cilët herë pas here mbushen me zhavor nga ana e tyre.
Problem në këtë rrugë janë edhe dy urat e lufit të cilat janë të dëmtuara. Ura e re e ndërtuar 5 vite më parë, është dëmtuar më shumë pasi mbi të kanë dalë të gjithë elementët e hekurit, duke rrezikuar mjetet që të çajnë gomat në të.
Por gjendja e rrugës nuk është më e mirë në drejtim të urës së Matit, pasi edhe në këtë aks, ka prani të madhe të gropave.
Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve shprehen se tashmë kanë humbur çdo shpresë se dikush do ta marrë përsipër mirëmbajtjen e kësaj rruge dhe ta kthejë atë në gjendje normale për të qarkulluar.