Një ndër akset rrugore nacionale në gjendje të amortizuar është edhe ai Shoshaj – Urakë, pjesë e koridorit të Matit, Burrel – rrëshen. Edhe pse është trajtuar disa herë si problematikë, ky aks vijon të mbetet pa një përgjegjës, ndërsa gjendja e tij vjen duke u rënduar çdo ditë e më shumë. Aksi në fjalë është i prishur në disa segmente ku një ndër ta është edhe ai në fshatin Shoshaj.
Prania e gropave të mëdha ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Më problematike situata është për mjetet e vogëla, ndërsa nuk i shpëtojnë as mjetet e tonazhit të rëndë.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se askush nuk do tja dijë për gjendjen në të cilën ndodhet sot ky aks rrugor. Ata shprehen se i paguajnë të gjithë detyrimet ndaj shtetit, por ky i fundit nuk i plotëson detyrimet ndaj tyre.
Ndërtimi i këtij aksi rrrugor përfundoi në vitin 2015, e që prej atij viti, askush nuk kujdeset për të. Pushteti vendor shprehet se nuk e ka në inventar, ndërsa edhe ARRSH thotë se nuk e ka marrë, megjithëse investimi është bërë me fondet e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.