Katër familje në fshatin Suç të Bashkisë së Klosit kanë përfituar rreth 1.5 hektarë vreshtë rrushi, falë një investimi të bërë nga shoqata italiane “No one out” “asnjë i përjashtuar”, në Bashkëpunim me Kishën Katolike Mat, Bashkinë Klos etj. këto familje kanë parcelat e tyre të vreshtarisë tashmë të finalizuara edhe me sistem vaditjeje me pika. Për të parë nga afër këtë investim të pranishëm ishin përfaqësues të shoqatës, kishës katolike Mat, Bashkisë Klos, Dioqezës Rrëshen etj. drejtuesi i Projektit “Në periferitë e Evropës, ecjet e përfshirjes ekonomike”, Gentian Gjinaj tha se kjo punë nuk do të ishte bërë pa mbështetjen e të gjithëve.

Përfaqësuesi i shoqatës “No one out”, Paolo Taraborelli, tha se idea e këtij projekti ka lindur nga vizita e tij në këtë zonë në vitin 2017, duke shtuar se mbështetja do të vijojë.
“Ishte viti 2017 kur unë isha këtu dhe pash këtë zonë. Ku diskutuam që në këtë fushë mund të ndërtoheshin vreshta, por që kishte mbetur vetëm në letra si ide. Faleminderit të gjithëve atyre që janë angazhuar për ta realizuar këtë projekt, sidomos ata që kanë punuar me krah që kanë vendosur shtyllat e betonit, gropat etj. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi për të bërë gjëra të tilla që i shërbejnë komunitetit”.
Zëvendëskryetari i Bashkisë Klos, Armand Gjinaj tha se mbështetja për projekte të tilla nuk do të mungojë nga institucioni vendor.

Edhe të pranishmit e tjerë vlerësuan këtë investim të financuar nga shoqata italiane.

1.5 hektarë vreshtë rrushi për katër familje përfituese janë ndërtuar në lagjen Shkorsë.