Shkopeti, fshati që u braktis gradualisht edhe pse ndodhet buzë rrugës nacionale
Fshati Shkopet ndodhet jo më shumë se 3 kilometra nga rruga e Kombit në rrugën nacionale Skuraj – Burrel. Dikur në këtë fshat jetonin më shumë se 300 banorë por sot është thuajse i braktisur totalisht. Frrok Përgjoka është ndër tre familjet që nuk është larguar ende nga fshati. Ai tregon se dikur ky fshat gumuzhinte nga njerëzit dhe kishte thuajse të gjitha institucionet që i duheshin, me shkolla, qendër shëndetësore etj. Përgjoka e krahason këtë fshat me fshatrat e braktisur të greqisë, teksa ai i shihte kur ka qenë emigrant. Shkak i braktisjes së Shkopetit sipas Frrok Përgjokës, është mungesa e investimeve. Në mungesë të një të ardhme më të mirë në këtë fshat, të rinjtë janë larguar të gjithë. Dikur shkolla e këtij fshati kishte rreth 160 nxënës, ndërsa sot ka mbetur vetëm si godinë. Frroku shpreson që një ditë fshatit t’i rikthehet gjallëria e dikurshme pasi është shumë afër Kurbinit e Lezhës dhe se është një fshat me resurse të mëdha turistike. Sipas banorit Frrok Përgjoka një tjetër arsye e largimit të banorëve është edhe privatizimi i HEC-it të Shkopetit i cili largoi shumë punonjës nga puna rreth 10 vite më parë.