9 vite më parë shirat e mëdha të rëna për disa ditë me radhë shkaktuan përmbytje, rrëshqitje e prishje të urave. Një ndër urat e prishura që në vitin 2010 është edhe kjo në fshatin Shkopet.

Hapja e portave të hidrocentralit 9 vite më parë bëri që uji të rrëmbente urën, duke lënë dhjetra banorë të izoluar.

Banorët e Shkopetit gjetën zgjidhje alternative duke improvizuar mjete për të lëvizur nga njëra anë e lumit në tjetrën. Prej kaq vitesh, banorët përdorin fuçija të cilat komandohen prej tyre duke u tërhequr në një kavo të lidhur në të dy anët e bregut të lumit Mat.

Megjithëse është bërë me dhjetra herë problem mediatik, situata mbetet e njëjtë, banorët këtë kanë të vetmen mënyrë për të dalë në rrugën nacionale drejt Milotit.

Por për shkak të mungesës së urës, shumë prej banorëve janë larguar nga fshati, por nuk e kanë braktisur përgjithmonë atë pasi kthehen për të punuar tokat.