Lugina e Shkopetit vijon të jetë e pushtuar nga mbeturinat. Më problematike situata paraqitet në afërsi të tunelit, ku një pirg i madh është krijuar prej kohësh dhe vijon të rritet. Megjithëse, përgjatë kësaj rruge janë vendosur kontejner, qytetarët apo bizneset hedhin mbetje nga më të ndryshmet në të gjithë vijën e rrugës. Pamja është vërtetë alarmante, ndërsa institucionet mjedisore vijojnë të mos marrin masa ndaj ndotësve.
Pamje trishtuese është edhe pranë burimit në afërsi të vendit të quajtur “Vabli”. Edhe pse në këtë vend ku ndolohen me dhjetra njerëz në dit, Bashkia Mat ka vendosur kontejner, mbetjet hidhen sërisht poshtë rrugës, duke shëmtuar pamjen piktoreske të luginës si dhe duke krijuar një ndotje të tmerrshme.
Nga ana tjetër të gjitha mbeturinat që hidhen përgjatë bregut të liqenit të Shkopetit sa herë ka reshje shirash përfundojnë në liqen. Mbetje plastike të ndryshme kanë mbetur në sipërfaqe të ujit duke e shëmtuar më tej pamjen e bukur të luginës e cila ndërthuret me ujin e liqenit. Ndonëse Shkopeti duhej të ishte një atraksion turistik, ai tashmë mund të thuhet me plot bindje se është kthyer në një vendepozitimi mbetejesh.