Vitet e fundit po rikthehet punimi i tokës me kafshë, kjo p[ër shkak të rritjes së madhe që ka pësuar çmimi i proceseve të punimit të tokës me mjete agregate si rezultat edhe i rritjes së çmimit të naftës. Veib Meta nga fshati Shkallë i Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë Klos, është një ndër ata që punon kundrejt pagesës tokat e banorëve të këtij fshati. Veibi na tregon se këtë punë e bën prej 20 vitesh, por deri pak vite më parë ishte drejt zhdukjes pasi përdorej zetori. Me rritjen e çmimit të naftës, banorët e kanë kërkuar sërish atë për ta punuar tokën me kalë. Sipas tij, kostoja e punimit të tokës me kafshë është sa gjysma e punimit me mjete bujqësore. Veib Meta tregon se me këtë punë ai ushqen familjen e tij, pasi nuk ka mundësi tjetër.
Nga ana tjetër, Veibi shprehet se do të vijojë ta bëjë këtë punë edhe në të ardhmen, pasi me të siguron të ardhurat e vetme për të mbajtur familjen e tij prej 5 anëtarësh.