Reshjet e vazhdueshme të shirave të javëve të fundit veç problemeve në bujqësi, kanë krijuar probleme edhe në infrastrukturën rrugore.
Rrugët rurale janë dëmtuar si pasojë e vërshimit të ujërave të shiut të cilat kanë qenë në sasi të mëdha. Një situatë e tillë është edhe në fshatin Stojan të Njësisë Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit.
Rruga e këtij fshati është e mbushur me gropa të cilat janë kthyer në një problem të madh për drejtuesit e mjeteve. Drejtuesit e mjeteve shprehen se duhet të ndërhyhet sa më parë pasi nëse situata vazhdon kështu, rruga mund të pësojë dëmtime edhe më të mëdha.
Rruga e fshatit Stojan është hapur vitet e fundit e megjithë ndërhyrjet në të, ajo shpesh bëhet problem për banorët.