Sa herë ka reshje shirash, në aksin rrugor Qaf Buall – Bulqiza pjesë e rrugës së Arbrit, ka rënie masive të gurëve. Si rezultat i mungesës së rrjetës mbrojtëse në të dy anët e kësaj rruge, gurët vërshojnë poshtë duke bllokuar kanalet kulluese anësore.

Megjithëse ato pastrohen, situata përsëritet sa herë ka reshje shirash. Në shumë raste gurët që rrëzohen nga të dy anët e rrugës përfundojnë në asfalt, ndërsa më së shumti ata bllokojnë kanalet.

Kjo zonë ka qenë vazhdimisht problematike që me hapjen e saj më shumë se 12 vite më parë. Mosrivitalizimi i skarpatave në të dy anët e rrugës sidomos në zonën në afërsi të varrezave të qytetit të Bulqizës, ka krijuar vazhdimisht probleme.

Drejtuesit e mjeteve kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse pasi në shumë raste, gurët biejnë në mënyrë të papritur në rrugë dhe bëhen lehtësisht burim aksidetesh.

Më shqetësuese situata është për të gjithë ata që qarkullojnë për herë të parë në këtë segment rrugor, pasi nuk e njohin terrenin dhe problematikat ashtu siç duhet.