Shirat rikthejnë gropat në rrugën e Krastës, asfaltimi nuk duket në horizont
Të gjithë banorët e Martaneshit, por jo vetëm, edhe ata që shkojnë për turizëm apo biznes, duhej që rrugën prej 16.4 kilometrash nga Qafa e Buallit deri në Krastë ta kishin të asfaltuar. Kjo do të bëhej e mundur me projektin që ka nisur të zbatohet 2 vite më parë, me një vlerë prej rreth 11.2 milion eurosh. Por siç duket nga pamjet, gjendja është kjo që shihni. Rrugës i është hedhur shtresa e fundit e zhavorit për ta bërë gati për asfalt, por ky i fundit nuk duket të jetë shtruar në asnjë centimetër. Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks rrugor shprehen se shirat e fundit e kanë degraduar akoma më shumë gjendjen e rrugës, ndërsa kalimi në të po bëhet i vështirë. Projekti për sistemim-asfaltimin e rrugës Qaf Buall – Krastë, me gjatësi prej 16.4 km, është financim i Autoritetit Rrugor Shqiptar në vlerën e 11.2 milion euro. Zbatimi i projektit po bëhet nga bashkimi i kompanive “BE-IS” sh.p.k, “ERGI” sh.p.k dhe “VËLLEZËRIT HYSA” sh.p.k, që edhe pse janë më shumë se një vit jashtë afatit fillestar për dorëzimin e punimeve, ende nuk kanë nisur asfaltimin e rrugës.