Një vatër e madhe zjarri është konstatuar mesditën e kësaj të enjteje në masivin pyjor me dushqe në fshatin Mazhicë të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës.
Vatra e zjarrit është e përmasave të mëdha dhe temperaturat shumë të larta kanë favorizuar përhapjen e tij në këtë masiv me dushqe.
Burime thanë se të parët kanë qenë banorë të fshatit të cilët kanë shkuar për të mos lejuar përhapjen e flakëve, ndërsa pas tyre ka shkuar edhe ekipi zjarrfikës i Bashkisë së Bulqizës.
Për fat të mirë momentalisht pranë vatrës së zjarrit nuk ka banesa, por nëse do të vijojë përhapja e tij, atëherë flakët i afrohen banesave.
Kjo është vatra e parë e rënë gjatë muajve të verës në Bulqizë, ndërsa frika për vatra të tjera ekziston. Nuk dihet nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, por vendi në të cilin është shfaqur zjarri nuk ka lidhje me pastrimin e tokave bujqësore, çka shpeshherë bëhen shkak për rënien e zjarreve.