Që prej datës 3 Korrik zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë të mbyllura për qytetarët. Askush nuk mund të shkojë pranë këtyre zyrave për të patur kontakt me punonjësit në mënyrë fizike që të marrin shërbimet e nevojshme. Sportelet fizike janë mbyllur pasi nga e hëna e djeshme të gjitha do të merren online. Por cilët janë hapat që duhet të ndjekin qytetarët?

Fillimisht duhet të keni një llogari të portalit shtetëror e-albania dhe më pas të futeni në këtë portal. Pas këtij procesi, duhet të zgjidhni llojin të shërbimit që doni të merrni, i cili ju shfaqet pasi klikoni mbi kuadratin “Pasuri e paluajtshme”. Pasi të hyni në këtë kuadrat do të gjeni të 71 shërbimet që ofroheshin fizikisht nga Zyrat e Kadastrës në të gjithë vendin.

Vendimi për të automatizuar shërbimet e kadastrës, sipas qeverisë, ka ardhur për të mënjanuar ndërhyrjet tek punonjësit e Kadastrës. Kjo do të thotë se i pari që aplikon për një nga shërbimet, është dhe i pari që merr shërbimin nga punonjësi i Kadastrës, duke mënjanuar mundësinë që punonjësi të ketë akses për të zgjedhur dosjen që do shqyrtojë, pasi kjo do të jetë e automatizuar. Kjo mënjanon abuzimet me shpejtësinë e kryerjes së veprimit, duke respektuar radhën dhe eliminuar “miqësitë” apo “sekserët”. Qytetari nuk do të mund ta dijë se kush nga specialistët do të merret me dosjen e tij, pasi ajo mund t’i besohet specialistëve të zyrave të tjera. Një tjetër risi është ajo e marrjes së shërbimit të shpejtë, ku për këtë do të ketë një tarifë më të lartë.