Një masiv i madh dheu është shembur e ka rënë në kanalin vaditës të Klosit në vendin e quajtur ShullaPleshë. Banorët thonë se kjo ka ndodhur pak javë më parë kur pati reshje të dendura shirash. Rrëshqitja e tokës ka bërë që jo vetëm kanali të mbushet me dhe, por të rrezikojë edhe strukturën prej betoni. Banorë shprehen se nëse do të ketë reshje të tjera shiu, dëmi mund të jetë akoma më i madh në këtë vepër vaditëse. Për shkak të mungesës së rrugës automobilistike, largimi i dheut në këtë pjesë mund të bëhet vetëm me krah. Ndërkohë, tejmbushja e kanalit vaditës të klosit në ditët me shi, bëri që uji të vërshonte në banesa, duke i rrezikuar ato. Një prej tyre është edhe Bashkim Dedolli. Ai thotë se nëse nuk ndërhyhet në kohë, situata mund të përsëritet.
Ndonëse sezoni i vaditjes është ende larg, banorët kërkojnë që të tregohet kujdes me këtë vepër dhe të ndërhyhet në kohë kur ka problematika të tilla.