Në segmentin nga Ura e Vashës deri në Qafën e Buallit ende nuk ka rinisur puna për ta bërë atë funksionale. Megjithëse në anën tjetër po punohet në drejtime të ndryshme, në këtë segment punimet kanë stopuar rreth 10 vite më parë. Një ndër arsyet kryesore është pikërisht kjo shembje masive që ka pësuar shpati i malit në fshatin Plan i Bardhë.
Kjo shembje ka rritur koston e punimeve e për këtë, burime pranë firmës deklaruan muaj më parë se nuk do të nisnin punën nëse nuk do të kishte shtesë fondi. Firma që po ndërton rrugën e Arbrit që prej vitit 2018 e ka përqendruar punën në hapjen e aksit bashkë me veprat e artit që nga Tirana deri në fshatin Fshat, përfshirë këtu edhe ndërtimin e urës në afërsi të urës së Vashës.
Por segmenti nga ura e Vashës e deri në Qafën e Buallit është llogaritur si një trase e përfunduar vite më parë. Shembja që ka pësuar ka rritur volumin e punës, pasi ky aks nuk është thjeshtë për asfaltim, që në të vërtetë ashtu duhej të ishte. Deri tani, institucionet shtetërore nuk kanë bërë asnjë reagim në lidhje me këtë pjesë, ndërsa nga ana e firmës është kosto tepër asaj që ka marrë përsipër të bëjë.