Një banesë e cila mban statusin “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” në fshatin Sopot të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës është shembur. Shtëpia trekatëshe e Nazif Mukës e cila mbante statusin e mbrojtur monument kulture që prej vitit 1977 është rrënuar totalisht. Në këtë objekt nuk banonte aktualisht asnjë person, ndërsa gjatë shembjes janë rrezikuar disa banorë të cilët jetojnë aty pranë. Rasim Luku, banor i fshatit Sopot, tregon se në momentin e shembjes, banesa e rrënuar ka rrezikuar disa fëmijë. Ai shton se për objekte të tilla është dashur të ndërhyhet me kohë dhe jo të liheshin deri sa të shembeshin totalisht. Banesa “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” tashmë është rrafshuar, e gjitha ndërsa aty ndodhet një fadromë e cila po punon për largimin e inerteve të krijuara.

  Me prishjen totale të banesës së Nazif Mukës, “Monument Kulture i Kategorisë së Parë”, tashmë i mbetet institucioneve përgjegjëse të vendosin nëse do ta heqin nga lista e objekteve të mbrojtura me status të veçantë.