Që prej ditës së shtunë kur vendi ynë u shkund nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në detin Adriatik, grupet e emergjencave civile në katër bashkitë e Qarkut Dibër kanë nisur punën për verifikimin e të gjitha banesave të raportuara nga banorët si të dëmtuara nga tërmeti.
245 qytetar në të gjithë Qarkun Dibër kanë raportuar pranë zyrave të emergjencave civile në katër bashkitë dëme nga tërmeti. Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu tha se vetëm 75 prej tyre janë klasifikuar paraprakisht. Shehu tha gjithashtu se tashmë do të nisë faza e vlerësimit të dëmeve e hartimi i dosjeve për secilën banesë të dëmtuar.
Dëmet më të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i datës 21 Shtator u shënuan në Njësinë Administrative Xibër dhe Gurrë në Bashkinë e Klosit, si dy njësitë më afër epiqendrës.