Lufta Ukrainë-Rusi: Sulme Masive nga Ajri, Goditet Rafineri dhe Spital

Lufta Ukrainë-Rusi: Sulme Masive nga Ajri, Goditet Rafineri dhe Spital

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon me intensitet të lartë, me sulme ajrore dhe përdorim masiv të dronëve në të dyja anët e frontit.

Forcat ukrainase kanë goditur gjatë natës me dronë rafinerinë e naftës Slavneft-Yanos, në qytetin rus të Jaroslavlit, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës. Bëhet fjalë për një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi. Banorët kanë raportuar të paktën tre vatra zjarri brenda kompleksit industrial pas sulmit.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjithsej 856 dronë ukrainas me krahë fiks gjatë natës mes së hënës dhe të martës. Sipas Moskës, dronët u neutralizuan mbi disa rajone ruse, përfshirë Bryanskun, Belgorodin, Moskën, Jaroslavlin, Tverin dhe rajone të tjera, si dhe mbi Krimenë e aneksuar dhe Detin e Zi.

Në frontin ukrainas, një nga sulmet më të rënda është regjistruar në qytetin e Kharkivit, ku një spital u godit gjatë natës nga një sulm i kombinuar rus me raketa balistike dhe bomba ajrore të drejtuara. Të paktën 62 persona kanë mbetur të plagosur. Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Igor Terekhov, bëri të ditur se rreth 200 pacientë duhet të transferohen në institucione të tjera shëndetësore, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në vendngjarje. Një bombë goditi një kalim mes ndërtesave të kompleksit shëndetësor në distriktin Nemyshlianskyi, duke dëmtuar më shumë se 1.000 dritare në spital dhe në ndërtesat e banimit përreth.

Forcat ruse kanë ndërmarrë gjithashtu një sulm të gjerë me raketa dhe dronë ndaj rajonit të Dnipropetrovskut. Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Ganzha, janë goditur infrastruktura, ndërtesa banimi dhe objekte administrative në distriktet e Dnipros dhe Kryvyi Rih. Në rajonin e Nikopolit, një banesë private është dëmtuar dhe katër persona kanë mbetur të plagosur. Ganzha deklaroi se sulmet kanë vijuar edhe në orët e para të mëngjesit, ndërsa shërbimet e emergjencës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar në terren.

Ndërkohë, ka rënduar bilanci i viktimave nga sulmi ajror rus i 2 nëntorit ndaj një qendre humanitare në fshatin Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias. Sipas drejtuesit të administratës rajonale, Mykhailo Semikin, numri i viktimave ka arritur në 29, ndërsa pesë persona janë plagosur. Autoritetet bëjnë të ditur se 48 persona rezultojnë ende të zhdukur dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonën e goditur. Semikin e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë, duke theksuar se pas çdo numri qëndron një jetë njerëzore dhe një familje që pret lajme për të afërmit e saj.