Nata e ndërrimit të viteve është traditë që të kalohet në mënyrë festive nga çdo familje. Por situata këtë vit është krejt ndryshe nga vitet e kaluara pasi ka një fashë orare që ndalon lëvizjet për shkak të koronavirusit. Kështu nga ora 20 e 30 minuta deri në orën 6:00 të mëngjesit të ditës pasardhëse, nuk lejohen për qytetarët lëvizjet jashtë banese. Kjo fashë orare karantinimi në banesë do të jetë edhe në këtë natë të ndërrimit të viteve. Nisur nga kjo situatë, Shefi i Rendit dhe Sigurisë Publike, pranë Komisariatit të Policisë Mat, Fiqiri Dani ju kërkon mirëkuptim qytetarëve për respektimin e fashës orare dhe i fton ata të festojnë vetëm në familjet e vogëla.
Ndonëse qytetarët do të jenë duke festuar në shtëpitë e tyre, forcat e rendit do të jenë në terren për të monitoruar situatën dhe ndëshkuar shkelësit e aktit nomrativ të marrë për shkak të pandemisë Covid-19.