Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2024 –  2025, Shoqata Kombëtare në Mbështetje të grupeve Vulnerabël, dega Mat, e ka bërë traditë t’ju vijë në ndihmë fëmijëve jetimë. Nën kujdesin e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë së Matit u bë këtë të mërkurë ndarja e 40 çantave dhe mjeteve didaktike për fëmijët jetimë në Bashkinë Mat. Në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e pallatit të Kulturës në Burrel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli, i cili tha se nisma të tilla do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të pushtetit vendor.

Presidenti i Shoqatës Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël, Adriatik Gega, tha se ky donacion i bërë nga drejtuesja e shoqatës së degës Mat, Mimoza Kurti, tregon se sa human duhet të jemi në mbështetje të shtresave vulnerabël.

Mimoza Kurti, vajza e arkeologut të mirënjohur matjan, Dilaver Kurti e cila tashmë drejton këtë shoqatë për degën e Matit, tha se ndjehej e obliguar që të kontribuojë në vendlindjen e saj. Me profesion mësuese, kryetarja e Shoqatës Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël, dega Mat, tha se vetëm me arsim dhe duke e mbështetur atë, shoqëria do të ecë përpara.

Fëmijët dhe të pranishmit e tjerë falenderuan donatorët të cilët ju mundësuan këto mjete të nevojshme për shkollim, në mënyrë që edhe ata të ndihen të barabartë me të tjerët.