Policia e Elbasanit ka nisur marrjen e masave për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Andorra në stadiumin “Elbasan Arena” ditën e nesërme.
Policia njofton se nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në disa zona në qytet si dhe do të merren masa për mbylljen e lokaleve që funksionojnë brenda rrethimit ku do vendosen shërbimet e Policisë.
“Duke filluar nga ora 12:00, datë 14.11.2019, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”, pasi krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë. Vend parkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vend parkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve”, -njofton Policia.
Po ashtu “Rrugë kalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.Për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit përsa i përket Policisë do angazhohen punonjës Policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, komisariatet vartëse të saj si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, pasditen e sotme deri në përfundim të aktivitetit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.