Sëmundja e murtajës boshatis tregun e Shupenzës

Sëmundja e murtajës boshatis tregun e Shupenzës

Vatra e sëmundjes së murtajës, e cila u konstatua pak javë më parë në fshatin Okshatinë të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës, ka bërë që lëvizja e të imtave të jetë rreptësisht e ndaluar. Kësisoj në tregun e Shupenzës, i cili zhvillohet çdo javë, nuk është nxjerrë për tu shitur asnjë bagëti e imtë. Banorët dhe tregtarët shprehen se prej shumë javësh në treg mungojnë bagëtia e imtë e cila rrezikon të infektohet apo të jetë e infektuar nga sëmundja e murtajës. Në treg po shiten vetëm shpendë shtëpiakë dhe produkte të konsumit të përditshëm. Autoritetet e Veterinarisë në Qarkun Dibër nuk kanë dhënë ende një afat se kur konsiderohet zona e pastër, ndërsa vijojnë të mbajnë në monitorim të gjithë blegtorët e Bulqizës. Vatra e murtajës në Okshatinë të Shupenzës shkaktoi ngordhjen dhe asgjësimin e rreth 220 krerëve të imta, ndërsa blegtori pret të kompensohet nga shteti.