Ministria e Mbrojtjes do të dislokojë forcat xheniere për një javë në zonën e Selixës në një perimetër të gjerë rreth tuneleve të municioneve luftarake. Fillimisht ishte Detashmenti i Mbeshtetjes Rajonale Burrel i cili u njoh me situatën, duke bërë edhe verifikimet paraprake e më pas informimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Burime për Mat Televizion thanë se pas ngritjes së problematikës së pranisë së municioneve luftarake në sipërfaqe pak metra larg tuneleve dhe në shpatin e malit përballë, do të nisë një operacion pastrimi. Ndërkohë, mësohet se pas kërkesës së bërë nga ana e Bashkisë Mat, pritet që ministria e mbrojtjes të dërgojë forcat xheniere për të pastruar territorin e ndotur nga shpërthimi i municioneve luftarake në tunelet e Selixës në afërsi të QafShtamës me 29 Prill të vitit 1997.

Ndonëse hotspotet e Selixës janë çerftifikuar për sigurinë e tyre, problematike ishte situata në zonën përreth pasi gjatë shpërthimit të 23 viteve më parë, shumë municione luftarake përfunduan në shpatin e malit përballë, duke qëndruar të paprekura për më shumë se dy dekada. Problem mbetej edhe rikthimi i banorëve për të kërkuar predhat që më pas shiteshin për skrap.