Aksi rrugor Shoshaj – Urakë vijon të jetë problem për të gjithë përdoruesit e kësaj rruge. Historia e saj është bërë problem shumë herë në Mat Televizion pasi u investuar miliona euro në të, por në fund nuk ju dorëzua askujt. Aksi ka qenë dikur në inventar të Këshillit të Qarkut Dibër dhe duhej që ky institucion ta inventarizonte ose në Bashkinë Mat ose në Autoritetit rrugor Shqiptar. Por tashmë siç dihet asnjëri nga këto dy institucione nuk e ka në inventar. Në këto kushte, rruga po degradohet çdo ditë e më shumë që prej përfundimit të saj në mes të vitit 2014. Për shkak se ky aks përdoret nga të paktën 5 Njësi Administrative të Bashkisë së Matit, kjo e fundit ndërhyri duke i mbushur gropat, por tashmë ato janë rikthyer. Mjetet që lëvizin në këtë aks detyrohen që në shumë pjesë të kalojnë në kah të kundërt për shkak të gropave. I gjithë aksi nga Shoshajt në Urakë ka probleme, por segmenti më i vështirë është në fshatin Zenisht ku dhe janë bllokuar kanalet kulluese anësore.