Rudina Hajdari, deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, ka njoftuar në Twitter se do të dhurojë pagën e saj mujore për rikonstruksionin e dritareve që u dogjën ditën e djeshme.

Me një postim në gjuhën angleze, Hajdari theksoi se “djegia e shkollave në qytetin tonë të dashur të Shkodrës, qytet i kulturës dhe traditës, ishte një traumë kombëtare dhe dhunë antishqiptare”.

Punonjës të Policisë Bashkiake të Shkodrës, të mbështetur nga simpatizantë të Partisë Demokratike dhe ish deputeti Bardh Spahia janë përplasur me efektivët e policisë që ruanin derën e KZAZ nr. 3 dhe me forcë kanë hyrë në ambientet e brendshme. Më pas ata i kanë vendosur zjarrin materialeve zgjedhore brenda KZAZ.

Bashkitë e drejtuara nga opozita përfshirë këtu dhe atë të Shkodrës i kanë dërguar një letër disa ditë më parë KQZ për lirimin e hapësirave të parashikuara për KZAZ pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ngjarje të ngjashme ka pasur edhe në Tropojë, ku mbështetës të opozitës kanë hyrë me forcë në ambientet e shtëpisë së kulturës ku ishte vendosur KZAZ dhe kanë nxjerrë nga aty materialet zgjedhore.