Megjithëse zyrtarisht rruga nacionale Skuraj – Peshkopi ka një firmë që do ta mirëmbajë për katër vite, ende nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë arterie rrugore.
Jo vetëm që nuk ka patur mbushje të gropave apo punime të kësaj natyre, madje as bimësia anash rrugës nuk është pastruar. Në këto kushte, sinjalistika vertikale në shumë segmente është gati e padukshme pasi është e mbuluar nga bimësia e rritur.
Një panoramë të tillë e gjen edhe në segmentin Burrel – Klos. Shumë sinjale vertikale janë të mbuluara nga barishtet apo ferrat. Ndryshe nga vitet e kaluara për këtë vit nuk është bërë asnjëherë pastrimi i tyre.
Një problematikë e ngjashme është edhe për kthesat ku rritja e bimësisë ka kufizuar fushëpamjen për të gjithë përdoruesit e rrugës nacionale nga Burreli në Klos e më tej.
Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo situatë nuk ka ndodhur në këtë mënyrë prej vitesh pasi të paktën kanalet kulluese dhe barishtet anash rrugës janë prerë vazhdimisht.
Mat Televizion i ka kërkuar zryatrisht Autoritetit Rrugor shqiptar informacion në lidhje me fatin e kësaj rruge, se kur firma që ka fituar tenderin e mirëmbajtjes do të nisë punën për ta bërë lëvizjen e automjeteve të sigurtë.