Ndërtimi i trasesë së rrugës së Arbrit në fshatin Gjoricë e Poshtme në Bulqizë ka sjellë edhe pasoja për banorët që jetojnë aty. Për shkak se traseja është ndërtuar mbi fushë, sipas banorëve firma zbatuese e projektit nuk ka parashikuar kullimin e ujërave që mbidhen sidomos kur ka reshje shirash.
Për pasojë i gjithë uji që mbidhet që nga Gjorica e Sipërme, përfundon në banesa në afërsi të rrugës së Arbrit në Gjoricë të Poshtme.
Pikërisht për këtë arsye, dhjetra banorë u ngriën këtë të Mërkurë në protestë, duke bllokuar punimet në rrugën e arbrit. Banorët kërkojnë që të bëhen kanalet kulluese, të vendosen tombino, të ndërtohen mure mbrojtëse, në mënyrë që edhe ata të jenë të sigurtë.
Banorët kërkojnë që të realizohen këto pika, në të kundërt nuk do të lejojnë vazhdimin e punës në fshatin e tyre.
Banorët paralajmëruan vazhdimin e protestës deri në përshkallëzim të saj nëse nuk do të realizohen pikat që kanë kërkuar.