Segmenti rrugor Urakë – Rrëshen pjesë e koridorit të Matit, vijon të jetë në gjendje të rënduar për përdoruesit e rrugës. Aksi në fjalë ka çedime të karrexhatës në disa segmente duke e bërë lëvizjen në të tepër të rrezikshme. Në vendin e quajtur tek pishat në fshatin Perlat, gjysma e urës është e shembur.

Megjithëse aty janë vendosur tabelat informuese për rrezikun, edhe ata janë dëmtuar. Banorët e Perlatit thonë se që prej ndërtimit të këtij aksi, për të nuk u kujdes askush, duke e lënë totalisht në mëshirë të fatit. Banorët thonë se për problemet e rrugës janë ngritur në protestë duke e bllokuar atë, por nuk janë lejuar që të protestojnë më nga policia. Ata thonë se rruga duhet të mirëmbahet, pasi në këtë mënyrë ajo do të bëhet krejtësisht e pakalueshme.

Segmenti Rrëshen – Urakë është loti i parë i “Koridorit të Matit” i cili u ndërtua me qëllimin e bashkimit të rrugës së Kombit me atë të Arbrit. Por ndonëse ai u inaugurua në vitin 2013, sot ky segment është bërë gati i pakalueshëm.