Aksi rrugor Shoshaj – Urakë vijon të jetë problem për drejtuesit e automjeteve që lëvizin në këtë segment rrugor. Ndonëse Bashkia e Matit ndërhyri pak muaj më parë duke bërë mbushjen e gropave në karrexhatë, situata është rikthyer pas shirave dhe ujit që vërshon përmes rrugës.
Por si të mos mjaftonte kjo, në disa pika rruga mund të ketë dëmtim të plotë të karrexhatës. Në një situatë të ngjashme është segmenti i Shoshajve. Vërshimi i ujit në rrugë ka bërë që ky murë të jetë i rrezikuar për tu shembur i gjithi. Siç shihet edhe nga pamjet, asfalti është dëmtuar dhe vijon prishja e nënshtresave të rrugës. Mbrojtëset metalike anësore kanë humbur funksionin e tyre pasi kanë dalë jashtë tokës, duke qëndruar në ajër.
Jashtë kameras banorë të zonës thanë se nëse nuk ndërhyehet sa më parë, rruga rrezikon të shembet bashkë me murin në anën e poshtme.
Për shkak të qëndrimit të vazhdueshëm të ujit, karrexhata ka pësuar ndarje, çka mund të rrezikojë seriozisht shembjen totale.
Aksi rrugor Shoshaj – Urakë vijon të mos ketë një pronar pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk pranon të jetë në inventarin e tij. Po ashtu, Bashkinë e Matit nuk e ka si pronë të saj e në këto kushte, përgjegjësia për mirëmbajtjen e këtij aksi mbetet jetime.