Prej vitesh zona e Selitës në Mirditë është harruar nga pushteti lokal dhe ai qendror, teksa rruga që lidh Rrëshenin me Lurën, prej vitesh mbeti vetëm një premtim në letër, pasi nuk është ndërtuar as në 3 D.

Mungesa e rrugës ka bërë që banorët të braktisin zonën, teksa kamera e Syri Televizion ishte në fshatin piktoresk të Lëkundës në Selitë, ku banorët jetojnë mes harresës institucionale dhe bukurive  të natyrës.

Fshati nuk është më larg se 45 kilometra nga Rrësheni, por për të shkuar me makinë duhen të paktën 2 ore e 30 minuta, ndërsa rrugëtimi me veture është mision i pamundur, pasi rruga është e përshtatshme vetëm për fouristrada, furgonë dhe kamionë, por edhe për ndonjë benz, prodhim të para viteve 1990.

Rruga është në gjendje të degraduar, teksa pamjet nuk kanë nevojë për koment.

Rruga e ngushtë e vështirëson punën për shoferët kur duhet të shkëmbehen mjetet, ndërsa rreziku i shoqëron drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët përgjatë gjithë rrugës.

Bukuritë që natyra i ka dhënë kësaj treve janë të pashfrytëzuara, ndërkohë emigrimi ka bërë që zona të shpopullohet tërësisht, ndwrkohw kjo plagw ende nuk po gjen kurim.

Ata pak banorë që kanë mbetur merren kryesisht me blegtor dhe me pak me bujqësi, për shkak se dhe tokat bujqësore nuk janë me shumicë.

Ndërkohë ngjitur me fshatin Lëkundë është edhe ish qyteza e minatorëve, Kurbneshi, që tashmë ka mbetur si një qytezë fantazim, pasi banorët e kanë braktisur prej vitesh.

Të njëjtin fat me Kurbneshin dhe Lëkundën kanë edhe fshatrat e tjerë të njësisë administrative në Selitë të Mirditës.

Ata pak banorë që kanë mbetur kanë shpresë se do ndërtohet rruga Rrëshen-Lurë, me synim dhe dëshirën për tu rikthyer e për të kontribuar për vendlindjen.