Rruga Qaf Buall – Bulqizë, drejtuesit e mjeteve: vetë kompanitë e kromit duhet ta shtrojnë
Aksi rrugor Qaf Buall – Bulqizë e vjetër vijon të jetë në gjendje të degraduar. Ky segment rrugor më parë ka qenë në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, por ky i fundit e ka hequr pas ndërtimit të rrugës së Arbrit. Megjithatë, ky segment mbetet i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët që lëvizin drejt Martaneshit, por edhe për subjektet minerare që punojnë në atë zonë. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që vetë kompanitë mineralnxjerrëse të kontribuojnë në shtrimin me asfalt të këtij segmeti, pasi sipas tyre nuk ju kushton më shumë se 1 makinë e mbushur me krom. Ata shprehen se kompania që e shfrytëzon më së shumti këtë segment rruge është Albchrome, e cila kalon me dhjetra ton krom çdo ditë, ndaj dhe duhet të kontribuojë jo vetëm për komunitetin, por edhe për automjetet e saj që kalojnë aty dy herë në ditë. Nga mungesa e investimit dhe mirëmbajtjes ndër vite, në këtë segment janë krijuar gropa të mëdha që bëjnë thuajse të pamundur lëvizjen e automjeteve të vogëla dhe të vështirë kalimin e mjeteve të rënda.