Rruga nacionale Skuraj-Burrel, e dëmtuar
Prej vitesh rruga nacionale Skuraj-Burrel vijon të jetë tejet e amortizuar. Në të gjithë gjatësinë e këtij aksi janë gropa të shumta. Në shumë vende ka dhe deformime të karrexhatës. Këto shkaktojnë probleme në qarkullimin e mjeteve të shumta që e përdorin këtë aks për ata që frekuentojnë plazhet e bregdetit shqiptar. Më kritike situata në aksin nacional Skuraj-Burrel paraqitet në fshatin Bushkash, ku uji i kanalit vaditës rrjedh duke dëmtuar së tepërmi asfaltin. Drejtuesit e mjeteve shprehen se prej vitesh në këtë rrugë nuk është vënë dorë, ndërsa gjendja e saj sa vjen e përkeqësohet në të gjitha aspektet; si në sinjalistikë, mbrojtëset anësore dhe dëmtimi i rëndë i karrexhatës. Ato shprehen se është turp që në vitin 2026 në Shqipëri të ketë rrugë nacionale në këtë gjendje. Përdoruesit e rrugës nacionale Skuraj-Burrel akuzojnë firmën e mirëmbajtjes, që sipas tyre mjaftohet vetëm me prerjen e bimësisë pranë karrexhatës dhe mbushjen aty-këtu të ndonjë grope mbi asfalt. Ata vijojnë të përsërisin kërkesën e një rikonstruksioni total të këtij aksi të rëndësishëm nacional verilindor.