Hapja e rrugës së Arbrit për qarkullimin e automjeteve drejt Tiranës apo anasjelltas për të gjithë banorët e Qarkut Dibër, në pamje të parë duket që e ka lënë në hije rrugën nacionale Burrel – Skuraj.
Kjo ka bërë që firma kontraktore të mos shqetësohet shumë për problemet që paraqet i gjithë segmenti, ndonëse duhej të ishte e kundërta. Në rrugë janë rishfaqur gropat pikërisht në ato vende ku u mbushën pak muaj më parë si të ishte rrugë rurale.
Ngricat kanë bërë të mundur që asfalti i hedhur të prishet duke rikthyer gropat. Po ashtu, problem mbeten edhe çedimet në shumë pika, duke u kthyer në burim aksidentesh.
E ndonëse lëvizja drejt Tiranës për Bulqizën, Dibrën e Klosin bëhet nga rruga e Arbrit, edhe segmenti Burrel – Skuraj ka frekuentim të lartë pasi është arterie që lidh Qarkun Dibër me Kurbinin, Lezhën, Shkodrën, Mirëditën e Kukësin.
Jashtë kameras drejtuesit e mjeteve kërkojnë që institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari firmës për milionat e eurove që ka marrë në 5 vite.
Në fund të muajit Shkurt të këtij viti, firmës “Geci” i përfundon kontrata e mirëmbajtjes, ndërsa po e lë rrugën më keq se e ka gjetur.