I gjithë aksi rrugor prej 36 kilometrash nga Burreli në Skuraj mund të thuhet fare lehtë se nuk ka asnjë siguri. Problematikat në të janë nga më të shumtat, duke nisur nga gropat, çedimet e karrexhatës e deri tek amortizimi i urave.

Një problematikë të tillë shfaqet edhe në këtë segment të fshatit Kokërdhok në afërsi të Bushkashit. Kjo pjesë e rrugës është bërë shkak për disa aksidente ku mjetet kanë përfunduar në përrua i cili mbi të cilin është ndërtuar një urë pothuajse e padukshme.

 

Mungesa totale e sinjalistikës për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë urën në fjalë, ka bërë që shumë prej tyre, për fat të mirë pa viktima, të përfundojnë në përrua.

Por mungesa e sinjalistikës apo barrierave metalike anësore mbi këtë urë, nuk janë problemi i vetëm. Muri i anës së poshtme të saj është zhvendosur nga shtresa e urës, duke rrezikuar shembjen totale të këtij objekti.

Në anën e sipërme është hedhur një shtresë e vogël prej betoni e cila shërben vetëm për të mbuluar rrezikun që i kanoset kësaj vepre arti në arterien më të rëndësishme të verilindjes.