Pak muaj më parë Mat Televizion ngriti shqetësimin e rrezikut të shembjes së rrugës nacionale Burrel – Klos në vendin e quajtur degëzimi i fshatit Kurdari në Suç.

Në mënyrë të vazhdueshme në këtë vend ka patur shembje të pjesës së poshtme të rrugës, gjë e cila është vështirë të dallohet teksa lëviz mbi të. Por nëse do ta shohësh nga poshtë lart, është lehtësisht e dallueshme sa në rrezik është ky segment rrugor.

Shkëmbinjtë vazhdojnë të shemben për shkak të prezencës së vazhdueshme të ujit që vjen nga fshati Suç. Nën rrugë është krijuar një shpellë e cila shkon afërsisht në gjithë gjerësinë e rrugës.

Megjithëse aksi nacional Burrel – Klos iu nënshtrua një rikonstruksioni total, për këtë problem nuk është bërë asgjë. Jashtë kameras banorët shprehen se firma është mjaftuar me vendosjen e barrierave metalike anësore, por nuk ka ndërtuar një murë mbrojtës në mënyrë që të ndalet shembja e mëtejshme e shkëmbit.

Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë pjesë të rrugës nacionale përbën një rrezik të shtuar për drejtuesit e tyre.