Rruga mes dy doganave në Bllatë, asnjë ndërhyrje deri tani
Rruga mes dy doganave që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Bllatë të Dibrës vijon të jetë e degraduar. Ndonëse pati një nismë për rehabilitimin e saj, deri tani vetëm janë mbushur gropat, por pa asnjë standart. Pjesa më problematike mbetet ajo në territorin e Shqipërisë, pasi ndryshe është situata në anën tjetër. Drejtuesit e mjeteve shprehen se prej shumë vitesh gjendja e kësaj rruge është impakti i parë i çdo turisti që zgjedh këtë pikë kufitare për të hyrë në Shqipëri. Drejtuesit e mjeteve thonë se është turp që kjo rrugë në një distancë kaq të shkurtër të jetë në një gjendje të tillë, sikur të ishte rrugë në ndonjë majë mali. Kujtojmë se në Shkurt të këtij viti, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja tha se do të ndërhyhet shumë shpejt dhe do të bëhet rehabiltimi i plotë, por deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje të tillë.