Dëbora mbulon fshatrat malore në qarkun Dibër

Dëbora mbulon fshatrat malore në qarkun Dibër

Reshjet e dëborës, të nisura që prej ditës së djeshme, kanë përfshirë një pjesë të territorit të qarkut Dibër, duke sjellë zbardhjen e zonave malore. Në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit, reshjet kanë qenë të pranishme me intensitet më të lartë, ndërsa disa fshatra të njësive administrative të thella janë mbuluar nga shtresa e parë e dëborës së këtij sezoni. Reshjet më të dendura janë regjistruar në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës dhe Selishtë, ku peizazhi malor është zbardhur plotësisht në disa zona. Ulja e temperaturave dhe reshjet e vazhdueshme kanë sjellë atmosferë tipike dimërore, veçanërisht në fshatrat me lartësi më të madhe. Pavarësisht reshjeve, deri në këto momente nuk raportohen probleme të rëndësishme me qarkullimin rrugor dhe as situata të tjera emergjente. Lëvizja në akset që lidhin zonat malore vijon pa raportime për bllokime, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave. Ndërkohë, problematika më shqetësuese mbetet furnizimi me energji elektrike. Në disa njësi administrative të qarkut Dibër, banorët kanë mbetur pa energji për disa orë, ndërsa ndërprerje janë raportuar edhe në njësitë Ulëz dhe Baz të bashkisë Mat. Kjo situatë vështirëson më tej jetesën e banorëve në zonat e thella, ku temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme. Ndonëse nuk raportohen emergjenca të tjera, banorët presin normalizimin e situatës së furnizimit me energji.