Përmbytet rruga mes dy lagjeve të Bulqizës, vështirësi në qarkullim

Përmbytet rruga mes dy lagjeve të Bulqizës, vështirësi në qarkullim

Reshjet e shiut kanë rikthyer edhe këtë vit problematikën e përmbytjes së rrugës që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës. Uji ka pushtuar një pjesë të konsiderueshme të këtij aksi, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve, ndërsa situata është rënduar edhe në terminalin e autobusëve. Për të kaluar nga njëra lagje në tjetrën, qytetarët janë detyruar të vendosin gurë dhe pllaka në rrugë, në përpjekje për të shmangur kalimin nëpër ujë. Edhe automjetet e vogla hasin vështirësi në qarkullim, sa herë që reshjet janë të dendura. Sipas banorëve, kjo problematikë përsëritet sa herë ka reshje shiu dhe lidhet me pamjaftueshmërinë e kanalit ujëmbledhës që përshkon zonën mes dy lagjeve, me nisje nga Qafa e Buallit. Megjithëse vitin e kaluar në këtë segment u krye një ndërhyrje për zgjerimin e kanalit, ajo nuk ka rezultuar e mjaftueshme për të përballuar prurjet e mëdha të ujit gjatë reshjeve. Përmbytja e përsëritur e këtij aksi dhe e terminalit të autobusëve rikthen shqetësimin e qytetarëve për nevojën e një zgjidhjeje përfundimtare, që të garantojë qarkullimin normal dhe të shmangë përsëritjen e së njëjtës situatë sa herë përkeqësohen kushtet atmosferike.