Banorët e fshatrave që përdorin rrugën kufitare në Bulqizë, vijojnë të ankohen për gjendjen e degraduar të këtij aksi. Një problem i shtuar i këtyre ditëve është edhe ngrica që ka mbërthyer zonën. Veç gropave të mëdha në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge, në shumë vende ka prani të akullit duke vështirësuar akoma më shumë qarkullimin e automjeteve. Drejtuesit e mjeteve shprehen se dëmet që pësojnë në makinat e tyre janë të pallogarishme si pasojë e gjendjes së rënduar të rrugës. Ata shprehen se autoritetet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj rrugëve të tilla, pasi thuajse kanë mbetur të izoluar. Të njëjtin mendim ndajnë edhe banorët e fshatrave që përshkon kjo rrugë e cila përfundon në Librazhd. Ata thonë se dikur ky aks rrugor mirëmbahej shumë mirë dhe kishte fluks të lëvizjes së automjeteve, ndërsa tashmë për të kaluar në të, duhen mjete të posaçme, si rezultat i degradimit të të gjithë aksit. Kjo rrugë kufitare është e rëndësishme sepse lidh disa fshatra të njësive Administrative Gjoricë, Ostren e Trebisht në Bashkinë e Bulqizës