Probleme të infrastrukturës rrugore në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit nuk ka vetëm tek rrugët e fshatrave. Edhe rruga kryesore e kësaj njësie administrative është në gjendje të mjerueshme.

Në këtë rrugë nuk është investuar dhe dëmtimi i saj ka ardhur në mënyrë graduale. Problemet në të janë të shumta, pasi në afërsi të qendrës së njësisë në “Vanar”, ka gropa të mëdha në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.

Po jo vetëm kaq, dy nga urat në këtë rrugë janë në rrezik shembjeje pasi këmbët e tyre anësore po gërryhen dita ditës. Madje njëra prej tyre është në situatë kritike pasi elementët e saj janë larguar çka rrezikon këmbësorët e nëse nuk ndërhyhet do të jetë problem edhe për mjetet.

Rruga ka edhe probleme të tjera me kanale të mëdha të hapura në mes të karrexhatës e ngushtim të kësaj të fundit në shumë kthesa të rrezikshme.