Nisur nga disa ankesa të mbërritura në redaksinë e “Mat Televizion” nga banorët e fshatrave Pleshë dhe Patin të bashkisë Klos, për gjendjen e rrugës që lidh fshatrat Pleshë, Patin e Cerujë, ne bëmë një vëzhgim me kameran tonë. Banorët që kontaktuam u shprehën se pavarësisht se pushteti vendor ka marrë masa për mbushjen e gropave, për ta kjo nuk është një zgjidhje e mjaftueshme. Ata shprehen se hedhja e zhavorrit në asfalt përbën rrezik për aksidente dhe se me reshjet e para të shiut, gropat rishfaqen sërish.

Banorët e fshatrave Pleshë dhe Patin kërkojnë që të ndërmerret një zgjidhje përfundimtare për këtë rrugë, duke bërë shtresimin me asfalt të plotë, ashtu siç është bërë në segmentin nga Plesha në Patin. Ata besojnë se vetëm një ndërhyrje e tillë do të sigurojë një rrugë të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.