Banorët e fshatrave të Bashkisë së Klosit vijojnë të përballen me gjendjen e amortizuar të rrugëve. Rrugët e paasfaltuara janë kthyer në një gangrenë për mijëra banorë të kësaj bashkie. Këto pamje që shihni janë të rrugës së fshatit Shëngjun në Njësinë Administrative Klos. Rruga është tejet e dëmtuar me prani të madhe të gropave në të gjithë gjatësinë e saj.
Drejtuesit e mjeteve i shmangen prononcimit për kameran edhe pse kalojnë në këtë rrugë. Megjithatë, jashtë kameras shprehen se gjendja e rrugës është shumë e vështirë për ta, duke ju shkaktuar amortizim të mjeteve. Vetë banorët shprehen se në rrugë nuk po vihet dorë edhe pse ndodhemi para stinës së dimrit. Ata kërkojnë që bashkia e Klosit të ndërhyjë sa më parë në rrugën e tyre pasi nëse vazhdon kështu, mjetet do ta kenë të pamundur qarkullimin në këtë aks shumë të rëndësishëm për ta.
Qindra banorë të fshatit Shëngjun përballen çdo ditë me gjendjen e keqe të rrugës, e ndërsa kërkojnë që të ndërhyhet urgjentisht nga pushteti vendor.