Ndonëse është lagjja më e frekuentuar në Peshkopi për shkak të ujërave termik që ka, rruga e lagjes së Llixhave është në gjendjen më të keqe të mundshme. Jo vetëm që kjo rrugë nuk është e rehabilituar me asfalt, por ajo është problematike gjatë gjithë vitit, pasi në stinën e dimrit ka prani të baltës, ndërsa gjatë verës të pluhurit. Banorët e kësaj lagjeje shprehen se askush nuk e ka marrë mundimin për ta rregulluar këtë rrugë prej kaq dekadash. Por problem mbetet edhe prania e mbeturinave në të gjithë gjatësinë e këtij aksi. Në shumë pika mungojnë kontejnerët, por edhe atje ku janë, mbushen deri sa derdhen, për shkak se firma nuk i tërheq shpejt.
Për drejtuesit e mjeteve kjo rrugë është një gangrenë e vërtetë si për ata që banojnë aty, ashtu edhe për frekuentuesit e qendrës balneare. Dëme ka edhe biznesi i kësaj zone pasi rruga për të shkuar atje është e vështirë dhe gjithë pluhur.
Banorët e kësaj lagjeje kërkojnë që të ndërhyhet sa më parë.