Qindra banorë të fshatit Kurqelaj në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit po përballen me gjendjen e rënduar të rrugës së tyre. Aksi nga fshati Kurdari deri në fshatin Kurqelaj është pothuajse i pakalueshëm në disa segmente. Më problematike situata paraqitet pranë urës së Lusës, mes dy fshatrave.
Për shkak të terrenit malor dhe mungesës së investimit në të, mjetet e kanë të vështirë qarkullimin, ndërsa kur ka reshje shirash, rruga bëhet e pakalueshme. gjatë muajve të dimrit, për shkak të akullit që krijohet në të, banorët thonë se qëndrojnë me javë të izoluar pasi rruga bëhet totalisht e pakalueshme. banorët i kërkojnë pushtetit vendor ndërhyrje të menjëhershme në mënyrë që situata të mos përsëritet si vitet e kaluara.
Fshati Kurqelaj është ndër fshatrat me infrastrukturën më të keqe në njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit. Ndonëse ky fshat ka prodhimtari të lartë bujqësore, transport ii tyre drejt Burrelit është shumë i vështirë.