Rruga nga Qafa e Buallit deri në Krastë të Martaneshit me gjatësi prej 18 kilometrash vijon të jetë problematike për qarkullimin e mjeteve. Ndonëse është një rrugë në varësi të Autoritetit Rrugior Shqiptar, ajo është kthyer si një rrugë rurale e fshatrave të thella malore. Drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt Krastës apo anasjelltas thonë se situata mbetet e njëjtë prej vitesh. Sipas tyre, firma që e marrin për mirëmbajtje këtë rrugë mjaftohen vetëm duke hedhur ndonjë lopatë zhavor të cilin e heq uji sapo të ketë reshje shirash. Ata kërkojnë që shteti të ndërhyjë dhe ta zgjidhë përfundimisht këtë problematikë, pasi janë taksapagues të rregullt ndaj tij dhe duan infrastrukturë rrugore normale. Dikur kjo rrugë ishte e asfaltuar, por duke mos e riveshur kur dëmtohej, ajo është kthyer si rrugë rurale dhe mbushjet e gropave bëhen vetëm me zhavor. Në stinën e dimrit rruga bëhet e rrezikshme si pasojë e akullit të madh që krijohet në të.