Shumë vepra të rrugës së Arbrit tashmë kanë përfunduar, ndërsa ende po punohet në tunelin e Murrizit dhe urën që lidh fshatin Fshat me fshatin Shkallë të Xibrit. Vendosja e elementëve metalik të kësaj ure ka nisur dy apo tre muaj më parë, ndërsa puna ka ngecur aty. Vetë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e cila inspektoi urën e vashës bashkë me kryeministrin Edi Rama, tha se ura e fshatit Fshat, është disa metra më e lartë se ura e Vashës. Megjithatë, nuk është ky problemi. Burime pranë firmës zbatuese të projektit të ndërtimit të rrugës së Arbrit, thanë se ndryshe nga ura e Vashës, ura e fshatit Fshat që kalon në fshatin Shkallë, nuk do të ndërtohet nga kompania turke. Sipas të njëjtave burimeve, shkak është bërë mosmarrëveshja mes tyre për koston që duhet të paguajë kompania shqiptare asaj turke. Në këtë mënyrë, ndërtimin e urës së Fshatit Fshat e ka nisur vetë kompania fituese e projektit. Siç shihet nga pamjet, këto elemente metalike janë vendosur 2 apo 3 muaj më parë e puna ka ngecur aty. Por a do mundet që një kompani shqiptare të ndërtojë një vepër aq delikate por edhe në një terren shumë të vështirë, kjo mbetet për tu parë. Edhe në vizitën e fundit të kryeministrit Edi Rama dhe Ministres Balluku, ata nuk ishin tek kjo vepër në ndërtim, ndonëse janë në një distancë të papërfillshme me urën e Vashës, tashmë të përfunduar nga kompania turke e nënkontraktuar nga ajo shqiptare.