Bashkia e Klosit është në zbatim të një projekti për ndërtimin e një Muzeu Historik pranë Kalasë së Petralbës e cila ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, ose në malin mbi fshatin Fshat. Projekti i nisur prej 3 vitesh pritet të finalizohet shumë shpejt me ndërtimin e objektit të muzeut. Ndërkohë pak ditë më parë është shpallur edhe firma fituese që do të zbatojë projektin, por ende nukkanë nisur punimet.
Burime për Mat Televizion thanë se shkak për këtë është bërë mungesa e rrugës që të dërgon deri tek Kalaja e Petralbës. Gjurma e rrugës e ndërtuar dy vite më parë nga bashkia e Klosit është prishur nga Rruga e Arbrit. Ndërkohë firma që po ndërton rrugën e Arbrit nuk lejon që të ndërhyhet në skarpatën e rrugës, megjithëse është domosdoshmëri për kalimin e mjeteve që do të dërgojnë materialin në majën e malit.
Të njëjtat burime thanë për Mat Tv se Bashkia është në negociata me firmën e rrugës së Arbrit dhe pritet që të arrihet një marrëveshje shumë shpejt për t’i hapur rrugë nisjes së ndërtimit të muzeut.
Ndonëse për momentin ky problem mund të zgjidhet pasi kantieri i rrugës së Arbrit është ende i hapur, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet pas përfundimit të kësaj rruge, pasi për të shkuar tek muzeu do të duhet patjetër një nënkalim ose mbi kalim.